Publikohet një dokument mbi 80 faqesh me emrat e ish-prestarëve të UÇK-së që Serbia ia ka dorëzuar Interpolit

1 minute, 11 seconds Read

Është publikuar një dokument mbi 80 faqesh me emra të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilën Serbia ia ka dorëzuar Interpolit e cila është organizata më e madhe e policisë globale, e përbërë nga 194 vende anëtare.

Në dokumentin e publikuar nga mediumi “Top24”, nga Maqedonia e Veriut figurojnë emrat ish-pjesëtarëve të UÇK-së që kanë qenë pjesëtarë të brigadave të ndryshme e të cilët rrezikojnë të arrestohen nëse futen në Maqedoninë e Veriut, meqë në këtë shtet po mbahet në arrest shtëpiak ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani.

Dy ditë më parë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje ish-pjesëtareve të UÇK-së që mos të udhëtojnë nëpër Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Madje Klinaku pati ngritur alarmin se pushteti serb po i freskon listat, duke i futur ish-ushtarët e UÇK-së në Interpol e Europol.

“Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos të mos udhëtojnë nëpër Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, sepse pushtuesi serb vazhdimisht po freskon listat, duke i futur në Interpol ose Europol”, shkroi Klinaku në Facebook.

 

Publikime te ngjashme