“Një pikë kthese në historinë e Amerikës”. Kështu i përshkroi kandidati republikan Donald Trump zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, madje duke paralajmëruar “masakrën” që sipas tij do të vuajë ekonomia amerikane nëse ai nuk del fitues në përballjen me presidentin demokrat Joe Biden.
“5 Nëntori do të jetë data më e rëndësishme në historinë e vendit tonë”, tha ish-presidenti amerikan gjatë të parit takim elektoral, që u mbajt në Vandelia të Ohio, 4 ditë pasi siguroi nominimin e partisë Republikane.
Për më tepër, ai pikturoi një vizion jashtëzakonisht të errët dhe distopik për kombin nëse do të humbiste edhe një herë nga Biden këtë vjeshtë.
Duke e cilësua rivalin e tij si “djalë të paaftë”, Trump theksoi se periudha kohore deri në zgjedhje duket një “përjetësi”, kur sheh sesi Biden po e çon vendin drejt greminës.
“Nëse nuk zgjidhem, do të jetë një masakër për të gjithë – kjo do të jetë më e pakta. Do të jetë një masakër për vendin”, tha ai.
Duke u ankuar për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të automobilave nga Kina në Meksikë, Trump tha se nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë, do të vendosë tarifa masive për çdo automjet të prodhimit kinez të importuar në Shtetet e Bashkuara.
“Më lejoni t’i them diçka Kinës. Nëse po më dëgjoni Presidenti XI, ju dhe unë jemi miq, por ju e kuptoni mënyrën se si veproj unë. Ne do të vendosim një tarifë 100 për qind për çdo makinë të vetme që del në linjë. Ju nuk do të jeni në gjendje t’i shisni ato makina nëse unë zgjidhem!”, tha Trump.
Nisur nga tonet me të cilat Trump u prezantua para elektoratit në Ohio, drejtuesit e fushatës së Joe Biden thanë se “ai dëshiron një tjetër 6 janar”, duke iu referuar sulmit ndaj Capitol Hill në 2021.
“Por populli amerikan do t’i japë atij një tjetër humbje zgjedhore në nëntor, sepse ata vazhdojnë të refuzojnë ekstremizmin e tij, prirjen e tij për dhunë dhe etjen e tij për hakmarrje”, thuhej më tej në reagimin e tyre.