Qeveria e Kosovës ka miratuar sot plotësim-ndryshimet e Udhëzimit administrativ 13/2022, me të cilën mundësohet që pronat e konfiskuara dhe të sekuestruara tu jepen në shfrytëzim institucioneve publike ose organeve shtetërore pa ankand publik.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se disa pasuri që tashmë janë sekuestruar gjenden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri.
“Ky projekt udhëzim rregullon të drejtën e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar që të jap me qira në fazën e sekuestrimit pasuritë e paluajtshme pa ankand publik nëse kërkohen nga institucionet publike ose organet shtetërore”, tha ai.
Sipas tij, shfrytëzimi i tyre nga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe kontribuon në rritjen e sigurisë.
Lidhur me këtë detaje dha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme pasi eliminojnë procedurat e zgjatura.
Ajo tha se me këtë disa prona që gjenden në veri tashmë kalojnë në menaxhim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht Policisë së Kosovës.
“Bëhet fjalë për pronat e ish krye terroristit Milan Radoiçiq… pronat që kanë qenë të tij, tashmë janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Agjencisë për menaxhimin pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar”, tha ajo, duke shtuar se këto prona kalojnë në menaxhim të Policisë së Kosovës.
Haxhiu tutje tha se me miratimin e plotësim-ndryshimeve në Udhëzimin administrativ mundësohet që të vazhdojnë me procedurat tjera të nevojshme.