Prokurorë e gjyqtare amerikanë takime me Dumanin, ambasada e SHBA: Krenarë që mbështesim SPAK, po ndërton demokraci për shqiptarët

1 minute, 9 seconds Read

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur sërish mbështetjen dhe krenarinë për SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë, të cilat sipas amerikanëve po ndërtojnë një demokraci më të fortë për popullin shqiptar.

Mes sulmeve të vazhdueshme ndaj SPAK që vijnë nga opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë mbështetjen për këtë strukturë të Posaçme si edhe kreun e saj Altin Dumani. Tregues për këtë ishte vizita e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve amerikanë në ambientet e SPAK, të cilët takuan Dumanin si edhe prokurorë të tjerë të SPAK.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë të cilat po ndërtojnë një demokraci më të fortë për popullin shqiptar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Referuar njoftimit të bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, grupi përfshin Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah; Kryegjyqtarin Robert Shelby nga Gjykata e Qarkut të Utah; dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.

Ata nënvizuan se sa e rëndësishme është të ndjekësh penalisht me integritet dhe profesionalizëm për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë.

Publikime te ngjashme