Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shtetit të Katarit, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari, ku u diskutua për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë bisedës, të dyja palët rikonfirmuan partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe shqyrtuan mundësitë konkrete për të intensifikuar bashkëpunimin në fusha të interesit të përbashkët.
Një pikë qendrore e diskutimit ishte falënderimi i Presidentes Osmani për ndihmën specifike të Katarit në sigurimin e protezave për invalidët e luftës së fundit në Kosovë. Ky gjest u vlerësua nga Presidentja si një akt i lartë solidariteti dhe humanizmi, i cili forcon më tej lidhjet miqësore mes dy popujve, raporton lajmishqip.
Në përmbyllje të takimit, si Presidentja Osmani ashtu edhe Ambasadori Al Dosari, rikonfirmuan zotimin e përbashkët për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve dhe thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Katarit, raporton lajmishqip.