Presidentja në drekën e përbashkët me Borrell: Kosova palë konstruktive

1 minute, 22 seconds Read

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Presidentja Osmani shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit dhe marrjen e vendimeve të nevojshme nga ana BE-së për integrimin e Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat, si dhe anëtarësimin e shteteve të rajonit bazuar në përmbushjen e kritereve”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se presidentja Osmani ka theksuar se masat e BE-së ndaj Kosovës përveç që nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut, ato, nëpërmjet pezullimit të projekteve të BE-së, më së shumti prekin interesat dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në këtë kontekst, sipas njoftimit nga Presidenca, e para e shtetit tha se Kosova është palë konstruktive dhe e përkushtuar për paqe e stabilitet, e bashkërenduar tërësisht me politikat e BE-së edhe sa i përket sanksioneve dhe me procese reformuese të rëndësishme.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka theksuar presidentja.

Publikime te ngjashme