Presidenca i reagon Serbisë: U përpoqën t’i bllokojnë zgjedhjet, tani që dështuan po bëjnë sulme qesharake

2 minutes, 17 seconds Read

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, i ka reaguar kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq pas deklaratës së saj lidhur me zgjedhjet në veri.

“Mbreti i çmendur Vuçiq ka një dozë të lartë të shakave. Njëri prej tyre ndodh të jetë ficus politik që vepron si kryeministër i Serbisë. Regjimi në Beograd kërkonte përmes ndërhyrjes zgjedhore të bllokonte zgjedhjet në veri të Kosovës. Tani që ata dështuan ata janë të zhveshur dhe duke bërë sulme qesharake!”, ka deklaruar Vela.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në një postim në profilin e saj në Twitter, të cilin e ka shkruar në gjuhën angleze, ajo është shprehur shumë e pakënaqur me mbajtjen e zgjedhjeve, duke sulmuar fuqitë botërore që përkrahën mbajtjen e tyre.

“Mbane mend këtë ditë. Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë fotot që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë dhe Metohi të mbështetura nga BE-ja dhe Kuinti. ¼”, shkroi ajo.

Tutje, ajo ka hedhur kritika për mbikëqyrjen e procesit nga policia.

“Zgjedhjet – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe mjete të blinduara! Kjo është Evropa, në shekullin e 21-të. 2/4”, ka shkruar ajo tutje.

Kryeministrja serbe në postimin e saj ka etiketuar Ambasadën Amerikane, Bashkimin Europian e OSBE-në, duke u shprehur e mllefosur për mbështetjen që i dhanë Republikës së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe/GazetaSinjali

Publikime te ngjashme