Aleksandar Vllajiq, agjent i Shërbimit Sekret të Serbisë (BIA), është dënuar me pesë vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi pranoi fajësinë për akuzat e spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.
Aktgjykimi u shpall menjëherë pas pranimit të fajësisë nga ana e tij gjatë seancës së shqyrtimit fillestar. Për veprën penale të spiunazhit, Vllajiq u dënua me pesë vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje mori një dënim prej gjashtë muajsh burg, i cili u zëvendësua me një gjobë prej 1,000 eurosh. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në marrjen e formës së prerë të aktgjykimit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025 nga Prokuroria Speciale, Vllajiq ka bashkëpunuar aktivisht me BIA-n, duke mbledhur informacione që cenonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Hetimet, të raportuara nga “Betimi për Drejtësi”, zbuluan se ai kishte incizuar lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe të forcave ndërkombëtare në veri të vendit. Gjithashtu, ai kishte mbledhur të dhëna për qytetarë serbë të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve kosovare dhe kishte zbuluar identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të cilin e njihte nga koha kur vetë shërbente në Policinë e Kosovës.
Vllajiq u arrestua më 26 qershor 2024 në Mitrovicë. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, autoritetet sekuestruan një armë të gjatë pneumatike të modelit “Cverna Zastava” dhe një sprej lotsjellës.
Në këtë proces gjyqësor, mbrojtja u përfaqësua nga avokati Lubomir Pantoviq, ndërsa prokuror i çështjes ishte Bekim Kodraliu.