Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara, që të shtunën bëri homazhe në Prekaz, është ndalur nga Policia e Serbisë në pikëkalimin kufitar të Merdarit. Siç ka shkruar në Twitter kryetari i Partisë Republikane Serbe, vajzës së tij nuk i është lejuar kthimi në Serbi.
“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, ka shkruar ai.
Gjatë ditës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz. “Të respektojmë që të mos përsëritet më”, ishte mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit. Javë më parë, kryetari i Partisë Republikane Serbe u arrestua dhe ka thënë se është rrahur nga shërbimi sekret serb, vetëm për faktin që ka vizituar Prekazin.
Edhe e bija e tij të shtunën pati paralajmëruar po ashtu se mund ta presë një fat i ngjashëm.
“Unë do të doja të shihja se çfarë do të bënte Qeveria serbe në lidhje me këtë sepse për këtë veprim, babai im u rrëmbye nga policia sekrete serbe, u rrah brutalisht, u torturua dhe u fut në burg. Ai u kthye në shtëpi gjysmë i paralizuar, në gjendje të tmerrshme dhe gjysmë i vdekur. Nuk e di se çfarë trajtimi do të kem nga Qeveria serbe për këtë dhe do të doja të shihja nëse Qeveria e Serbisë do të bëhet fashiste, do të na rrahë të gjithëve dhe do të na fusë në burg të gjithë apo ky është trajtim vetëm për babanë tim, gjë që e bën atë viktimë politike në vendin e tij”, ka thënë ajo.“Tani jo, por ne do të shohim kur të kthehemi, sepse ata e kanë traditë të ndalin njerëz nga partia jonë, veçanërisht babanë tim, duke e mbajtur në kufi me orë të tëra”.
Sanduloviqi është shoqëruar nga nënkryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Mihajllo Todiq, i cili përsëriti kërkimfaljen e kryetarit të partisë, për krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.
Pas arrestimit të politikanit serb Sanduloviq, edhe avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, në janar bëri homazhe te varrezat e Jasharëve. Gjatë kthimit në Serbi, edhe ai u ndalua nga autoritetet e këtij shteti.