Policia e cilëson të qetë situatën në veri të vendit

1 minute, 39 seconds Read

Pas tensioneve të së premtes në komunat veriore në Kosovë, sot, sipas policisë, në këtë pjesë të vendit është qetë.

Zëvendësdrejtor i policisë në veri, Veton Elshani, ka thënë se në veri situata është qetë edhe pse delikate, derisa shtoi se s’ka provokime nga qytetarët serbë.

“Situata në veri është e qetë, stabile edhe pse delikate. Ka lëvizje të zakonshme të qytetarëve. Njësitet policore gjenden në terren duke e kryer punën e vet”, ka thënë Elshani.

Të premten, serbët lokalë kanë tentuar të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar.

Policia e Kosovës e cila asistoi kryetarët u detyrua të shpërndajë serbët që ishin mbledhur, por që ata nuk kishin përfillur urdhërat e policëve dhe kishin vazhduar të gjuajnë me gurë në drejtim të tyre dhe të krijojnë barrikada në rrugë.

Si pasojë, pesë policë mbetën të lënduar si dhe u dëmtuan katër vetura zyrtare.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare. Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”, kishte njoftuar Policia.

Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Përmes reagimeve të tyre, ndërkombëtarët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.

Publikime te ngjashme