I ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi ka thënë se nga sot planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.
Si rrjedhojë, qe dy ditë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.”
Ndryshe, Bashkimi Evropian do të dërgojë sot në Prishtinë përfaqësuesin e posaçëm, Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.