Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi një ditë më parë se ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, vijon ta ketë vendin e tij në parti. Megjithatë, Veliu, i cili mbeti jashtë listës zgjedhore për deputetë, ka reaguar ashpër duke ia faturuar përgjegjësinë drejtpërdrejt Abdixhikut dhe të emëruarit të tij në Podujevë.
Në reagimin e tij titulluar “E vërteta nuk mbyllet me lista”, Veliu theksoi se qëndrimi i tij në LDK buron nga bindjet dhe përgjegjësia ndaj votuesve, e jo nga interesat personale. Sipas tij, ftesa për “derë të hapur” pas mbylljes së listave është thjesht formale dhe nuk e fsheh faktin se atij iu pamundësua një garë e ndershme dhe transparente.
Veliu pretendon se kreu i partisë, në koordinim të plotë me strukturat lokale në Podujevë, ka shpërfillur vullnetin e mijëra votuesve që kërkonin përfshirjen e tij në garë. “Unë nuk kam kërkuar favore, por respekt për procesin dhe anëtarësinë. Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti”, deklaroi ai.
Në përmbyllje, ish-nënkryetari i LDK-së u shpreh se po të ishte dera vërtet e hapur, kjo do të dëshmohej me vendimmarrje konkrete dhe jo me deklarata pas faktit të kryer. Ai shtoi se opinioni publik dhe votuesit besnikë ende presin një shpjegim të qartë se pse emri i tij nuk figuron në listën zgjedhore./lajmishqip.net
