Pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që e rënditi Lidhjen Demokratike të Kosovës në pozitën e tretë me një rënie drastike të mbështetjes, brenda partisë kanë shpërthyer hapur pakënaqësitë mbi organizimin e brendshëm.
Shqipe Pantina, anëtare e këtij subjekti, ka adresuar kritika të forta ndaj lidershipit, duke vlerësuar se fokusi obsesiv në opozitëbërje ndaj Qeverisë Kurti ka eklipsuar ndërtimin e një alternative të mirëfilltë për votuesit.
“Përse ekziston një subjekt politik? Vetëm për të bërë opozitë apo për të mbrojtur vlera e parime? Këtu qëndron dështimi i LDK-së. U mbyllën në kritikë dhe braktisën identitetin e tyre. Një qytetar i papërcaktuar kërkon të dijë se çfarë zgjidhjeje ofron realisht platforma jonë,” deklaroi Pantina, duke denoncuar edhe mungesën e komunikimit të kryesisë me bazën në nëndegë.
Pantina gjithashtu kontestoi ashpër procesin e reformës të proklamuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, duke pretenduar se margjinalizimi i figurave me përvojë dhe promovimi i personave pa peshë politike ka nxitur irritim të thellë në strukturat e partisë.
“Reforma mbeti në gjysmë të rrugës. Nuk mund të ndërtohet ndryshimi duke asgjësuar bazën ekzistuese për t’i dhënë pushtet dikujt që nuk ka asnjë lidhje organike me LDK-në,” theksoi ajo gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Këto qëndrime të Pantinës nuk kaluan pa u kundërshtuar ashpër nga radhët e partisë.
Kandidati për deputet, Sokol Havolli, reagoi me një gjuhë akuzuese, duke e cilësuar veprimin e saj si një “thikë pas shpine” në momentet më të vështira të subjektit.
“Nuk na duhen kundërshtarë të jashtëm kur i kemi brenda. Shqipe Pantina, pas çdo dështimi të saj personal në politikë, po i jep edhe një goditje të radhës LDK-së,” u shpreh Havolli.
Bazuar në rezultatet e deritanishme dhe procesin e numërimit të votave nga diaspora, Lidhja Demokratike e Kosovës parashihet të jetë e përfaqësuar me vetëm 14 deputetë në legjislaturën e re./lajmishqip.net

