Ka përfunduar intervistimi i ministres Albulena Haxhiut e cila që dy ditë është pyetur mbi dy çështje nga Prokuroria Speciale.
Haxhiu, sipas një njoftimi të lëshuar dje nga Prokuroria Speciale, është thirrur me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur me arratisjet që kanë ndodh nga burgjet e Kosovës.
E njëjta sot mbi këtë çështje është deklaruar para mediave.
Ajo ka thënë se intervistimi i saj është tendencioz dhe se dikujt sipas saj po i pengon puna e Qeverisë.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale jam intervistuar dje dhe sot në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që se kam thënë për herë të parë, pasi ka kohë që unë deklaruar asisoj, në RTV Dukagjini në një emision, që ndërlidhet me përpjekjet e prokurorëve apo sistemit të drejtësisë, prokurorit gjyqtarë për takime, favore dhe të tjera”.
“Me atë rast kam shpjeguar që ne si Qeveri nuk funksionojmë asisoj, si në të kaluarën, por që ne e kemi për obligim që t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat po punojmë në vazhdimësi dhe duket që dikujt po i pengon, andaj dhe Prokuroria Speciale po tenton të më pengoj në punën time, me që rast edhe e keni parë në vazhdimësi, çfarëdo deklarate që unë e kam dhënë, ata kanë bërë autorizim për policinë për të dhënë apo marrë deklaratën time”.
“Rasti i dytë ka të bëjë me një reagim timin në Facebook, i cili vjen si një kundërpërgjigje ndaj përpjekjes së radhës së Qeverisë së Serbisë, përmes zëdhënësit Ivica Daçiq, i cili tentoi që ngjarjen që ka ndodhur në Loznicë, ta ndërlidhë me një sulm terrorist që kinse të përgatitur nga Republika e Kosovës”, tha Haxhiu para gazetarëve./sinjali.net