Përfaqësuesi amerikan në OKB lavdëron reagimin e policisë së Kosovës gjatë sulmit në Banjskë

2 minutes, 27 seconds Read

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Robert A. Wood, ka përsëritur se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Wood në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se sulmi ishte rrezik direkt për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe rrezikoi edhe personelin e NATO-s dhe BE-së.

“Duhet të ketë përgjegjësi të plotë, në përputhje me sundimin e ligjit, për fajtorët e sulmit. Individët që ikën në shtetet e treta duhet të ekstradohen apo persekutohen siç kërkohet. SHBA-ja po punon ngushtë me BE-në dhe partnerët e NATO-s për ta mbajtur veriun e Kosovës të qetë”, ka thënë Wood.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të frenohen nga veprimet që mund të nxisin tensione.

“U bëjmë thirrje palëve të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përgatiten të marrin hapa konkret para. Është me rëndësi që palët të bëjnë progres në zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. SHBA-ja e sheh dialogun si rruga më e mirë për të arritur pajtimin mes Serbisë e Kosovës. Ne do të mbesim të angazhuar e do të punojmë ngushtë me partnerët evropianë”, ka thënë Wood.

Ai ka mirëpritur shtimin e forcave të KFOR-it, ndërsa ka përgëzuar reagimin e Policisë së Kosovës.

“Mirëpresim ngritjen e forcave të NATO-s në veri të Kosovës. Të mbesim sa më gjatë që të jetë e nevojshme. Po ashtu lavdërojmë Policinë e Kosovës për reagimin më 24 shtator, për koordinimin e ngushtë me KFOR-in e EULEX-in gjatë sulmit dhe gjatë hetimeve.

]Ne inkurajojmë Kosovën të vazhdojë koordinimin”, ka thënë Wood.

Ai në fund të fjalimit ka bërë thirrje për t’u përfunduar mandati i UNMIK-ut.

“UNMIK-u e ka plotësuar qëllimin, më nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës apo në siguri. Kërkojmë nga ky Këshill që të perëndojë ky mision”, ka thënë Wood.

E përfaqësuesja e Francës po ashtu dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

“Franca dënon sulmin e papranueshëm kundër Policisë së Kosovës që çoi në vdekjen e një rreshteri dhe shpresojmë që hetimet të zbardhin shkaqet e këtij sulmi. Kërkojmë që të bëhen përpjekje për të ndriçuar këtë rast”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesja e Francës ka thënë se palë duhet të rikthehen pa kushte në procesin e dialogut.

Ajo ka thënë se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen. Ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohen dhe duhet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Publikime te ngjashme