Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, ka bërë të qartë qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai deklaroi se PDK nuk do të mbështesë asnjë kandidat për president pa pasur paraprakisht një marrëveshje ose diskutim të mirëfilltë politik.
“Edhe gjatë vitit 2021, PDK ka refuzuar të votojë një kandidat të propozuar njëanshëm nga z. Kurti pa një dakordim politik. Edhe këtë herë nuk ekziston asnjë arsye që ne, në mungesë të një diskutimi apo marrëveshjeje, t’u nënshtrohemi shantazheve apo kërcënimeve për votimin e cilitdo kandidat”, theksoi Nikaj gjatë një prononcimi në Klan Kosova.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje siguroi mbi 50% të votave, u bë e qartë se formimi i qeverisë është i thjeshtë për ta, por zgjedhja e presidentit mbetet një sfidë numrash që kërkon bashkëpunim me opozitën. /lajmishqip.net
