Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë me dije se është kryer pagesa e parë ndaj SHBA-së për 246 raketat antitank “Javelin”, të cilat do të shtohen në inventarin e FSK-së.
“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra është çështje e kryer, Javelin do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”,- ka deklaruar ministri Maqedonci për mediat kosovare.
Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë, ndërsa Kongresi miratoi në shkurt shitjen e tyre.
Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.
Për publikun e gjerë ky lloj armatimi u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë. Ushtria ukrainase i ka përdorur këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse, që hynë në territorin e saj.
Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës.
Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekond. Vepron në një distancë nga 65 metra deri në 4 mijë metra.
Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë.
Deri më tani janë prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla. Rreth 20-25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme, pjesa tjetër për testime e stërvitje.