Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës dhe mbështet rrugën e saj drejt BE-së

1 minute, 24 seconds Read

Një draft-raport i Parlamentit Evropian, i përgatitur nga Riho Terras, raportues për Kosovën, i kërkon Bashkimit Evropian të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Sipas faqes zyrtare të Parlamentit Evropian, ky draft-raport është sot në agjendën e Komitetit për Politikë të Jashtme, ku do të diskutohet dhe amendohet para se të miratohet dhe të kalojë në votim në Parlamentin Evropian.

Sipas agjendës së publikuar, draft-raporti është renditur si pika e tretë e diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe do të shqyrtohet nga ora 10:00 deri në 11:30.

Në draft-raport vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian dhe theksohet se e ardhmja e saj është në BE. Po ashtu, theksohet se nxjerrja e Kosovës nga një “zonë gri” është në interes si për Kosovën, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

“Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe bien në kundërshtim me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjen me politikat e BE-së,” thuhet në raport.

Drafti gjithashtu mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe shpreh shqetësim për situatën e sigurisë në vend. Ai dënon sulmet e ndodhura në Banjskë dhe Ibër Lepenc dhe kërkon që autorët e këtyre akteve të dhunshme të përballen me drejtësinë.

Raporti vë në pah edhe dobësitë sistematike të drejtësisë në Kosovë, veçanërisht në aspektin e pavarësisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve.

Publikime te ngjashme