Çmimet e arit të zi pësuan rënie këtë të martë, pas paralajmërimit të prerë të presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar Teheranit për të mos guxuar bllokimin e korridorit strategjik detar, jetik për furnizimin global me energji.
“Nëse Irani ndërmerr ndonjë veprim që pengon rrjedhën e naftës në Ngushticën e Hormuzit, do të goditet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës njëzet herë më fuqishëm se çdo herë tjetër,” deklaroi ai përmes rrjeteve sociale.
Gjatë tregtisë në tregjet aziatike, nafta e papërpunuar Brent zbriti për 6.5% duke rënë në 92.46 dollarë, ndërsa Nymex Light Sweet shënoi rënie prej 7% në vlerën prej 88.15 dollarëve.
Vlera e naftës kishte prekur kuotën e 120 dollarëve për fuçi të hënën, si pasojë e frikës se konflikti SHBA-Izrael me Iranin do të shkaktonte paralizim të furnizimeve nga Lindja e Mesme, por tregjet reaguan pas sinjaleve të Trump se lufta mund të përfundojë së shpejti.
“Realizuam një ndërhyrje të kufizuar sepse e konsideruam të nevojshme për të eliminuar disa elementë të rrezikshëm dhe besoj se ky do të jetë një angazhim afatshkurtër,” u shpreh Trump gjatë një konference për media në Florida.
Kjo rënie e çmimeve u dha tregtarëve një moment relaksi, megjithëse tregjet e energjisë mbeten në një gjendje tensioni të lartë, sipas Alberto Bellorin nga firma investuese InterCapital Energy.
Ai vlerësoi se tregtia me naftë do të mbetet tejet e paqëndrueshme, ku çmimet do të lëvizin varësisht nga përshkallëzimi apo qetësimi i këtij konflikti rajonal.
Njëkohësisht, çmimet e aksioneve në Azi shënuan rritje të ndjeshme, teksa shqetësimet për ndikimin e mundshëm ekonomik të luftës filluan të zbehen.
Indeksi Nikkei i Japonisë u rrit me 2.7%, Hang Seng në Hong Kong me 2%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut shënoi një rritje mbresëlënëse prej 5.5%.
Bursat rajonale ishin goditur rëndë vetëm një ditë më parë, për shkak të frikës së investitorëve se ndërprerjet në Gjirin Persik do të prodhonin inflacion dhe rritje të normave të interesit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më kritike e tregut global, pasi përmes kësaj rruge të ngushtë ujore kalon rreth një e pesta e sasisë totale të naftës në botë.
Ndonëse çmimi ka pësuar rënie nga piku i së hënës, ai mbetet rreth 20% më i lartë se periudha para nisjes së sulmeve ajrore SHBA-Izrael, vëren Park Kee Hyun nga Shkolla S Rajaratnam.
Park paralajmëroi se çmimet do të ruajnë paqëndrueshmërinë, pasi kompanitë do të aplikojnë kosto shtesë sigurie për dërgesat për të llogaritur rreziqet në terren.
Sipas tij, komentet e Trump japin shpresë për përfundimin e luftës, por mbetet pikëpyetje nëse këto deklarata do të pasohen nga ndryshime konkrete në zonën e konfliktit.
Në anën tjetër, vendet e G7-ës njoftuan të hënën se janë të gatshme të ndërmarrin të gjitha “masat e nevojshme” për të mbrojtur furnizimin global me energji.
Takimi i udhëheqësve të G7-ës me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë përfundoi pa një vendim final për lirimin e rezervave strategjike, megjithëse ky opsion u diskutua gjerësisht./lajmishqip.net










