Imazhet satelitore kanë konfirmuar suksesin e një operacioni të forcave speciale ukrainase të kryer më 27 qershor kundër aerodromit ushtarak Marinovka në Rusi, ku u shkatërruan dhe dëmtuan disa avionë luftarakë Su-34. Sulmi ishte një operacion i përbashkët i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe Forcave të Operacioneve Speciale.
Fotografitë e datës 29 qershor tregojnë qartë pasojat: dy avionë Su-34 janë shkatërruar plotësisht, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Në vendin e njërit prej avionëve vërehen shenja të një shpërthimi sekondar, me gjasë nga municionet që ai transportonte. Këto pamje, të krahasuara me ato të 25 qershorit, vërtetojnë praninë e avionëve para goditjes.
Humbjet janë konfirmuar tërthorazi edhe nga burime ruse, përfshirë korrespondentë ushtarakë dhe kanale pro-Kremlinit në Telegram siç është “Fighterbomber”. Avionët Su-34 janë platforma kryesore e Rusisë për sulme me raketa ndaj qyteteve dhe pozicioneve ushtarake ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt 2022, forcat ajrore ruse kanë humbur të paktën 32 avionë Su-34 dhe një Su-34M, raporton lajmishqip.