Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpalosur detaje mbi pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, ku Kosova figuron si anëtare themeluese, si dhe mbi takimin e zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump.
E para e shtetit njoftoi se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ajo do ta procedojë marrëveshjen e nënshkruar sot për ratifikim nga deputetët.
“Jam plotësisht e bindur se të gjitha subjektet politike, duke vlerësuar peshën historike të anëtarësimit tonë në këtë organizatë, do ta votojnë atë me prioritet. Dokumenti do të marrë fuqi ligjore në Kosovë menjëherë pas ratifikimit.”
Lidhur me bisedën me presidentin Trump, Osmani bëri të ditur se udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë ka përcjellë një mesazh të qartë për shtetin tonë.
“Ishte një komunikim tejet pozitiv për Kosovën dhe popullin e saj, një bisedë që në fakt kishte nisur që në samitin e OKB-së në Nju Jork, më 28 shtator.”
Duke sqaruar prezencën e saj në këtë ceremoni në vend të kryeministrit Kurti, Osmani rikujtoi kompetencat kushtetuese të presidentit në sferën e politikës së jashtme, duke nënvizuar se anëtarësimi në Bordin e Paqes është një arritje e përbashkët.
“Kjo është e rregulluar me Kushtetutën tonë, ku presidentja udhëheq politikën e jashtme. Edhe kryeministri po qëndron në Davos, mirëpo ne kemi ndarje të detyrave, ndërkohë që sukseset janë të barabarta për të gjithë.”
Gjatë intervistës, presidentja u pyet edhe për pozicionimin e saj pranë presidentit Trump si dhe për përzgjedhjen e ngjyrës së kuqe në veshjen e saj.
“Rregullat e ulimit dhe ato të nënshkrimit, bashkë me çdo detaj tjetër protokolli, ishin të përcaktuara nga Shtëpia e Bardhë. Ndërsa ngjyra e kuqe mbetet e preferuara ime, një ngjyrë që e përzgjedh me shumë dëshirë”./lajmishqip.net

