Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë proces si një mekanizëm të çmuar dhe strategjik të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në deklaratën e saj, Osmani tha se lidhja me Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm marrëdhënie diplomatike, por “pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar”.
Ajo kujtoi se Dialogu Strategjik u nismua prej saj që në vitin 2021, duke u finalizuar pas një procesi të gjatë bashkëpunimi me Departamentin e Shtetit në janar 2025.
“Presidentja shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë për pezullimin e këtij dialogu, i cili përbën një mekanizëm të rëndësishëm bashkëpunimi me ShBA-të. Siguria e Kosovës është fuqimisht e lidhur me mbështetjen amerikane, prandaj secili duhet ta trajtojë me seriozitet ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë,” thuhet në reagim.
Osmani nënvizoi se aleanca me SHBA-në është një çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të përbashkët, duke kujtuar se liria e Kosovës u bë realitet vetëm falë mbështetjes vendimtare të Amerikës.
Ajo shtoi se Presidenca do të punojë intensivisht për rifillimin e Dialogut Strategjik sa më shpejt që të jetë e mundur, duke e përshkruar partneritetin me SHBA-në si “jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busullën më të sigurt për të ardhmen”./lajmishqip.net