Osmani nga Brukseli: Serbia në samite ka mbrojtur vetëm interesat e Rusisë, nuk do të na mungojë

0 minutes, 59 seconds Read
Banner Description

Në Bruksel po zhvillohen punimet e Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku Kosova po përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani. Me të mbërritur në kryeqendrën evropiane, ajo dha një deklaratë të rëndësishme për mediat.

Presidentja Osmani e cilësoi heqjen e pjesshme të masave sanksionuese si një lajm pozitiv, ndonëse ritheksoi se vendosja e tyre fillestare ishte një akt i padrejtë ndaj Kosovës.

“Do të punojmë ngushtë me partnerët tanë që shumë shpejt të merret vendimi për shfuqizimin e plotë të tyre. Nga diskutimet që kam pasur sot, shoh elemente pozitive dhe shpresoj që heqja totale e masave të ndodhë sa më parë”, deklaroi Osmani para gazetarëve.

E pyetur mbi bojkotin e Serbisë në këtë Samit, e para e vendit u tregua e prerë në qëndrimin e saj.

“Nuk e paskam vërejtur mungesën e tyre. E vetmja gjë që Serbia ka sjellë historikisht në këtë tryezë ka qenë prezenca e një shteti që mbron interesat e Rusisë. Prandaj, prezenca e tyre nuk do të na mungojë sonte në këtë samit”, nënvizoi ajo. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme