Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët politikë, deklaroi se disa prej partive kanë pranuar se nuk e kanë shumicën për formimin e qeverisë, ndërsa disa të tjera kanë kërkuar një takim të dytë për të shqyrtuar mundësinë e propozimit të një mandatari të ri.
“Gjatë këtij takimi diskutuam një sërë çështjesh, por më e rëndësishmja ishte që konsultimet të zhvillohen para caktimit të mandatari tjetër. U diskutua nëse ndonjë nga partitë politike e ka shumicën e nevojshme. Siç e keni dëgjuar, disa prej tyre nuk e kanë shumicën, ndërsa të tjerat shprehën dëshirën që të takohemi sërish,” deklaroi Osmani.
Presidentja kujtoi se afati kushtetues prej 10 ditësh për konsultime skadon më 5 nëntor, periudhë gjatë së cilës ajo do të vazhdojë komunikimin me partitë.
“Derisa të përfundojë afati kushtetues, do të jem në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha partitë. Kushdo që shpreh gatishmëri për takim, do ta pres. Para se të skadojë afati, do të dihet nëse do të ketë apo jo propozim për mandatarin e dytë. Kjo mbetet në dorën e partive politike, pasi nuk kishte qëndrim të unifikuar për këtë çështje,” theksoi presidentja Osmani./lajmishqip.net
