Operacioni “Dinari serb”, Policia konfiskoi para dhe intervistoi menaxheren e “Nardodna Banka” si të dyshuar

1 minute, 23 seconds Read

Policia njofton se në vazhdën e veprimeve hetimore në lidhje me rastin e titulluar “Dinari serb” sot është realizuar kontrolli i filialës së bankës së ashtuquajtur “Nardodna Banka” në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën Veriore, me ç’ rast është kontrolluar një kasafortë e cila në kohën e kryerjes së kontrollit me datë 20.05.2024 nuk ishte arritur të hapej në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat.

“Hetuesit policor kanë arrit që me datë 29.05.2024 të identifikojnë menaxherin e pikës, e cila është kontaktuar dhe ka sjellë çelësat e kasafortës në prezencën e së cilës është hapur dhe janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim: 152,290.00 Dinar (njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e dyqind nëntëdhjetë dinar serb) 4580€ (katërmijë e pesëqind e tetëdhjetë euro) dhe 940 CHF (Nëntëqind e dyzet franga zvicerane)”, njofton policia.

Pas përfundimit të kontrollit menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e Avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit është zhvilluar pa asnjë incident, thuhet në njoftimin e policisë.

“Hetime të tjera profesionale lidhur me rastin janë në proces dhe të gjitha vendimet ligjore në vazhdim do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Në maj autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

 

Publikime te ngjashme