Mali i Zi po gjendet nën një rrethim të rreptë presionesh nga Serbia, ku janë të implikuar drejtpërdrejt presidenti Aleksandar Vuçiq, Shërbimi Informativ Serb (BIA), Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dhe zyrtarisht Moska. Këtë alarm e ka ngritur kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko.
Sipas analizës së saj, strategjia e Beogradit synon sabotimin e aspiratave evropiane të Malit të Zi për të betonuar ndikimin e tij mbi shtetin fqinj, duke krijuar barriera artificiale në rrugën e Podgoricës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Vuçiq do të persistojë në obstruksionet ndaj Malit të Zi, ndonëse suksesi i tij do të kushtëzohet kryekëput nga stabiliteti i brendshëm në Serbi,” ka deklaruar Biserko për Portalin ETV.
Ajo ka nënvizuar se Podgorica duhet të dëshmojë një vullnet të paluhatshëm për integrim, në kohën kur segmente të caktuara politike brenda vendit po punojnë intensivisht për ta ruajtur status quo-në.
Biserko ka paralajmëruar se Kisha Ortodokse Serbe mbetet krahu i zgjatur i Beogradit në Mal të Zi, duke luajtur një rol kyç në konfigurimin e qeverive që nga viti 2020. “Përveç kësaj, agjentura e BIA-s dhe influenca ruse po e ashpërsojnë trysninë mbi institucionet malazeze, duke e futur vendin në një udhëkryq të rrezikshëm politik… Rusia ka kalkulime strategjike në Ballkan dhe mund të provokojë destabilizim me lehtësi përmes satelitëve të saj në Serbi, Republikën Srpska dhe Mal të Zi”, u shpreh Biserko.
Ky sinkronizim mes Vuçiqit, shërbimeve sekrete, klerit dhe Kremlinit, siç vëren ajo, përbën një kërcënim real për stabilitetin rajonal dhe procesin e integrimit të shtetit malazez.
Në përfundim, ajo vlerëson se vetëm qëndrueshmëria e institucioneve të Podgoricës dhe një përkrahje e prerë nga Brukseli mund të garantojnë që vendi të mos devijojë nga kursi evropian./lajmishqip.net

