OpenAI nënshkruan marrëveshje historike 38 miliardë dollarëshe me Amazon për fuqinë e re të cloud computing

2 minutes, 15 seconds Read

OpenAI ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje gjigante me Amazon në vlerë prej 38 miliardë dollarësh, për të shfrytëzuar infrastrukturën e saj të avancuar të cloud computing. Kjo lëvizje strategjike vjen në kuadër të përpjekjeve të kompanisë për të siguruar fuqinë kompjuterike të nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale në shkallë globale.

Në vitin 2025, OpenAI ka lidhur marrëveshje që në total kalojnë 1 trilion dollarë me kompani si Oracle, Broadcom, AMD dhe Nvidia, duke reduktuar ndjeshëm varësinë e saj nga Microsoft, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie ekskluzive për vite.

Sipas marrëveshjes shtatëvjeçare me Amazon, OpenAI do të ketë akses të plotë në procesorët grafikë të Nvidia-s, të cilët do të përdoren për trajnimin e modeleve të reja të inteligjencës artificiale.

“Shkallëzimi i AI-së kërkon llogaritje masive dhe të besueshme,” tha bashkëthemeluesi dhe CEO i OpenAI, Sam Altman.
“Partneriteti me AWS forcon ekosistemin tonë të llogaritjes dhe shënon një hap kyç për ta bërë IA të përparuar të qasshme për të gjithë.”

Marrëveshja reflekton rritjen e kërkesës globale për fuqi kompjuterike dhe ambicien e OpenAI-së për të zgjeruar kapacitetet e saj përpara konkurrencës.

Ekspertja e investimeve, Kim Forrest nga Bokeh Capital Partners, vlerësoi se “OpenAI po ndjek rrugën drejt lidershipit global përmes qasjes në sa më shumë fuqi kompjuterike që mund të sigurojë”.

Ndërkohë, Microsoft ka zbutur ndikimin e vet mbi OpenAI, duke lejuar që kompania të bashkëpunojë edhe me konkurrentë të saj, përfshirë Amazonin. Pavarësisht kësaj, OpenAI mbetet një organizatë jofitimprurëse, që po investon miliarda në zhvillimin e teknologjive të reja. Vetëm gjatë tremujorit të fundit, humbjet e saj kanë arritur në 12 miliardë dollarë.

Pas publikimit të marrëveshjes, aksionet e Amazon shënuan një rekord historik, duke shtuar 140 miliardë dollarë në kapitalin e tregut. CEO i AWS, Matt Garman, deklaroi se “AWS është e pozicionuar në mënyrë unike për të mbështetur ngarkesat më të mëdha të punës që kërkon inteligjenca artificiale.”

Megjithatë, disa institucione ndërkombëtare, përfshirë Banka e Anglisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kreu i JP Morgan, Jamie Dimon, kanë paralajmëruar se investimet masive në AI mund të krijojnë një “flluskë financiare” të ngjashme me atë të teknologjisë në vitet 2000.

Vetë Altman mbetet optimist:

“Është e vërtetë që niveli i investimeve është i pashembullt — por edhe ritmi me të cilin rriten të ardhurat është po aq i jashtëzakonshëm,” tha ai për BBC./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme