Gjenerali i pensionuar amerikan Wesley Clark që kishte qenë në komandant suprem i forcave aleate të NATO’s gjatë bombardimeve të caqeve sebe për shkak të spastrimit etnik në Kosovë, ka folur për tensionet e mundshme në rajon, veçanërisht një konflikti të mundshëm nga situata mes Kosovës dhe Serbisë si dhe Bosnje Hercegovina.
Clark u shpreh se shpreson se NATO po bën gjithçka për të qenë në gatishmëri dhe për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi në anën e Kosovës.
Sipas tij, këto tensione ndizen nga përpjekjet ruse, e cila kërkon të ndezë mosmarrëveshje dhe kaos në rajon.
Zëri i Amerikës: Në raportin e fundit të komunitetit amerikan të zbulimit mbi rreziqet globale, për Ballkanin, përmendet pikërisht situata mes Kosovës dhe Serbisë si edhe Bosnje-Hercegovina si pika ku mund të shpërthejnë konflikte. Kjo në mesin e tensioneve që u acaruan vitin e kaluar, pas sulmit në veri të Kosovës. Si i shihni ju këto shqetësime mbi gjendjen e sigurisë duke mbajtur parasysh ato që kanë ndodhur në këto muajt e fundit?
Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se është një situatë që duhet ndjekur me kujdes. Jam i sigurt që ambasadori Hill po bën gjithçka që mundet që ta shohë situatën nga perspektiva amerikane. Shpresoj që NATO-ja po bën gjithçka që mundet për të qenë në gatishmëri dhe për të marrë masat për të parandaluar çdo lloj përshkallëzimi në anën e Kosovës. Sikurse e thashë këto tensione ndizen nga përpjekjet ruse. Rusia kërkon të ndezë mosmarrëveshje dhe kaos në rajon dhe e gjitha puna që kemi bërë në Ballkan nuk do të ketë rezultat të frytshëm nëse nuk trajtojmë çështjen mes Ukrainës dhe Rusisë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se në këtë rast, është e nevojshme që të ketë ndryshim të taktikave dhe strategjisë lidhur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi qasen ndaj Kosovës dhe Serbisë?
Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se tani nuk e kam të mundur të bëj komente mbi strategjinë aktuale. Nuk është e mundur sepse nuk jam aq pranë sa të jap një koment të dobishëm. Mendoj se cilado strategji që ne zbatojmë, përsëri është peng i asaj që po ndodh 1600 apo 1300 kilometra në lindje të Ukrainës, në rajonin e Donbasit, ose në zonën e konfliktit dhe cilat janë synimet e Rusisë. Kjo është ajo që përcakton qëndrimet e Evropës, nga njëra anë po e shtyn Europën që të dojë të zgjidhë krizën mes Serbisë dhe Kosovës dhe nga ana tjetër duke ia bërë më të vështirë arritjen e një gjëje të tillë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo është e drejtë për të ardhmen e procesit ndërmjet dy vendeve?
Gjenerali Wesley Clark: Mendoj se procesi do të vazhdojë për një farë kohe dhe mensoj se është e rëndësishme që ky proces të mbahet gjallë dhe të vazhdohet me dialogun. Nëse do të kishim një përparim të rëndësishëm, do të ishte e mrekullueshme, por nuk parashikoj një gjë të tillë. Prandaj, sikurse e thashë, kjo është një çështje dytësore në Evropë dhe në shumë aspekte varet nga ajo që do të ndodhë mes Rusisë dhe Ukrainës./VOA