Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u prit në Downing Street nga kryeministri britanik, Keir Starmer, pas vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë të premten. Gjatë takimit, Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e fortë që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës.
Më vonë gjatë ditës, Zelensky pritet të takohet edhe me Mbretin Charles, duke vijuar kështu një turne diplomatik të rëndësishëm në Europë.
Pamjet e presidentit ukrainas, i përlotur dhe i emocionuar, kanë bërë xhiron e botës, duke ofruar një kontrast të fortë me atmosferën e tensionuar të takimit të tij me Donald Trump në Uashington vetëm një ditë më parë.
Ky moment emocional nënvizon marrëdhëniet e ngrohta midis Londrës dhe Kievit, në një kohë kur Zelensky kërkon vazhdimisht mbështetje ndërkombëtare përballë agresionit rus.