Gjatë samitit të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në Hagë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur sërish Kosovën dhe Serbinë, duke i listuar ato si pjesë të angazhimeve të tij në zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare.
Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj pyetjes së gazetarëve nëse ai pajtohet me vlerësimin e shefit të NATO-s, Mark Rutte, dhe gjeneralit amerikan Dan Caine, se presidenti rus Vladimir Putin paraqet kërcënim territorial përtej Ukrainës.
Duke përshkruar një bisedë telefonike me presidentin rus, Trump tregoi se si e ka vendosur fokusin te menaxhimi i krizave të ndryshme.
“Është e mundshme (që Putini ka ambicie përtej Ukrainës). Unë e di një gjë, ai dëshironte një zgjidhje. Ai do të donte të dilte nga kjo. Është një rrëmujë për të. Ai (Putin) më thirri ditën tjetër dhe më tha ‘a mund të më ndihmosh me Iranin?’ Unë i thashë jo, mund të ndihmosh me Rusinë, pasi javët e fundit u morëm me Indinë dhe Pakistanin. Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi Kongon dhe Ruandën që po vijnë”, deklaroi Trump.
Kjo nuk është hera e parë që ish-presidenti përmend dialogun mes dy vendeve. Më herët, Trump kishte deklaruar se gjatë mandatit të tij ndaloi një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kishte kërkuar që t’i ndahej Çmimi Nobel për Paqe për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik.
Vlen të theksohet se gjatë këtij samiti në Hagë, Aleanca Veri-Atlantike mori vendimin historik për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto për vendet anëtare deri në vitin 2035, raporton lajmishqip.