Qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj Kosovës ka ngritur shpesh pikëpyetje mbi motivet dhe qëllimet e tij, duke krijuar përplasje të dukshme në marrëdhëniet mes dy vendeve që historikisht kanë qenë të lidhura ngushtë.
Deklaratat dhe qëndrimet e Ramës janë më tepër “ndihma” deklarative dhe mungesë e veprimeve konkrete. Rama shpesh ka theksuar publikisht se Shqipëria mbështet Kosovën, por në arenën ndërkombëtare, rezultatet konkrete të kësaj mbështetjeje mungojnë. Ai nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të avancuar njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së apo për të lobuar më fuqishëm për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Propozimi i tij për korrigjimin e kufijve në vitet e mëparshme, atëherë kur Rama përkrahte publikisht idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, u pa nga shumëkush si kërcënim për stabilitetin territorial të Kosovës. Kjo ide u mbështet edhe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe disa qarqe ndërkombëtare, u refuzua fuqishëm nga institucionet e Kosovës dhe nga shumica e qytetarëve.
Qëndrimi ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishte një përpjekje tjetër e Ramës shumë befasuese, ngase Rama ka qenë ndër figurat që ka inkurajuar Kosovën të pranojë krijimin e Asociacionit, duke mos adresuar qartësisht rreziqet që kjo strukturë mund të ketë për funksionalitetin e shtetit.
Vizitat dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale janë një argument tjetër që Rama shfrytëzon Kosovën për tu promovuar si një lider rajonal me Vuçiqin. Vizitat e tij te Hashim Thaçi gjatë mbajtjes në paraburgim nga Gjykata Speciale dhe qëndrimet e tij publike për shfuqizimin e kësaj gjykate janë parë si ndërhyrje në punët e drejtësisë dhe përpjekje për të politizuar çështje ligjore. Këto veprime janë interpretuar si një lloj përkrahjeje për individë të caktuar në dëm të institucioneve të Kosovës.
Si të kuptohet roli i Ramës?
Shumë analistë kanë vënë në dukje një afrim të dukshëm mes Ramës dhe Vuçiqit, veçanërisht në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur. Kjo nismë është kritikuar nga Kosova për mungesën e transparencës dhe për faktin që Vuçiqi e ka përdorur për të forcuar pozitat e tij rajonale në dëm të Kosovës, a nuk ishte kjo ndihmë “kolegiale” regjimit të Vuçiqit nga Rama!? Pra Deklaratat e Ramës shpesh iu kanë shërbyer narrativës serbe për kompromisin e njëanshëm dhe për përgjegjësinë e Kosovës në mosarritjen e marrëveshjeve.
Moskoordinimi me Kosovën
Veprimet dhe deklaratat e Ramës shpesh nuk kanë qenë të koordinuara me institucionet e Kosovës, duke krijuar përshtypjen e një agjende personale ose të ndikuar nga interesa të tjera. Kritikat e tij publike ndaj qeverisë Kurti dhe ndërhyrjet e tij në çështje të brendshme të Kosovës kanë dëmtuar imazhin e unitetit kombëtar në arenën ndërkombëtare.
Rama mund të jetë duke ndjekur një strategji të ndërtuar mbi përfitime personale ose të lidhura me aleancat rajonale. Ai mund të përdorë Kosovën si kartë politike për të rritur rolin e tij në Ballkan ose për të marrë mbështetje nga aktorë ndërkombëtarë, a nuk ishin këto përpjekje personale ose politike të Ramës dëmtuese korrekte ndaj Kosovës dhe Qeverisë Kurti.
Çfarë mund të bëjë Kosova për të adresuar këtë situatë, përveqëse të ruaj pozicionin e saj të pavarur, ashtu siç po bënë kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të ndjekë një politikë të pavarur dhe të mos lejojë që deklaratat ose qëndrimet e Ramës të devijojnë qëllimet e saj strategjike. Kosova duhet të theksojë qartë se vendimet e saj janë të bazuara në interesat kombëtare dhe jo në presionet nga Shqipëria apo ndonjë palë tjetër.
Kosova duhet të investojë më shumë në diplomacinë e saj për të forcuar marrëdhëniet me shtetet kyçe të BE-së dhe SHBA-së, duke e anashkaluar ndikimin e Ramës në temat që janë jetike për vendin. Andaj është i domosdoshëm denoncimi i narrativave të dëmshme dhe çdo përpjekje për të imponuar ide si korrigjimi i kufijve apo zbatimi i Asociacionit pa garanci duhet të kundërshtohet me fakte dhe argumente që mbrojnë sovranitetin dhe interesat strategjike të Kosovës.
Forcimi i unitetit kombëtar
Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë për të ndërtuar një marrëdhënie më të koordinuar, bazuar në respektin reciprok dhe interesat e përbashkëta, duke eliminuar ndikimet personale apo politike që dëmtojnë këtë marrëdhënie, ndërsa qasja e Ramës ka krijuar një narrativë të paqartë dhe të dëmshme për Kosovën. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë aleatë të ngushtë, veprimet e Ramës kanë treguar më shumë ndarje sesa bashkëpunim. Për të ruajtur interesat strategjike të saj: Kosova duhet të fokusohet te mbrojtja e sovranitetit dhe demokracisë; të ndërtojë një diplomaci më të fuqishme dhe të pavarur; tëë shmangë ndikimet nga qasje që duken më shumë dashakeqe sesa të dobishme.
Në këtë mënyrë, Kosova mund të sigurojë një pozicion të fortë dhe të pavarur në arenën ndërkombëtare, pavarësisht nga ndërhyrjet e Ramës apo të tjerëve.
Nga: Agim Vuniqi