Pas disa incidenteve që përfshinin dëmtimin e kabllove nënujore në Detin Baltik, përfshirë incidentin e fundit për të cilin Suedia filloi hetimet, NATO-ja krijoi një program për të monitoruar këto tubacione jetike të linjave të komunikimit nënujor dhe të energjisë.
Luftanijet estoneze deri vonë shpenzonin pjesën më të madhe të kohës për mbrojtjen e kufirit, duke kërkuar për mina të rastësishme në fundin e Detit Baltik dhe duke kryer operacione shpëtimi. Por këto ditë – pasi një numër jashtëzakonisht i lartë i kabllove nënujore janë dëmtuar – marina ka një mision të ri – mbrojtjen e infrastrukturës detare.
“Këtu shohim të gjitha anijet rreth nesh dhe të gjitha informacionet rreth tyre. Ky, për shembull, është një objekt miqësor”, thotë një prej marinarëve ndërsa tregon radarët.
Që nga fillimi i vitit 2025, ekuipazhi i kësaj luftanijeje mina-kërkuese ka marrë pjesë në operacionet e NATO-s që synojnë mbrojtjen e Detit Baltik. Zona e tyre e përgjegjësisë shtrihet nga porti i Talinit deri në mesin e Gjirit të Finlandës, rreth dy orë kohë lundrimi.
“Që nga incidenti me kabllot, marina e Estonisë ka caktuar tre anije – njëra prej tyre është anija jonë, Sarkala. Ajo që po bëjmë këtu është patrullimi i zonës, monitorimi i të gjithë trafikut që shkon në perëndim dhe në lindje, në të dyja drejtimet”, thotë Meelis Kants, komandant i luftëanijes “Sarkala”.
Pikërisht në këto ujëra u dëmtua në dhjetor 2024 kablli energjetik Estlink-2 që lidh Estoninë dhe Finlandën. Tani është detyra e marinës estoneze të mbrojë kabllin e dytë që gjendet në shtratin e detit në Gjirin e Finlandës.
“Nëse diçka është e dyshimtë, u afrohemi anijeve dhe gjithashtu i kontaktojmë anijet nëse është e nevojshme”, thotë komandanti Kants.
Gjatë javëve të fundit, mbi 10 kabllo nënujore janë dëmtuar në Detin Baltik. Ndërsa nuk ka asnjë provë përfundimtare sabotimi, disa marinarë thonë se dyshojnë që një spirancë e rënë aksidentalisht të ketë kapur kabllot në shtratin e detit.
Zyrtarët ushtarakë estonezë thonë se ka hetime aktive për mundësinë e sabotimit.
“Kabllot u këputën duke tërhequr spirancat. Anijet tregtare civile kanë qenë duke lundruar dhe kanë lëshuar spirancën. Pyetja është – a u bë qëllimisht apo ishte një aksident? Hetimet janë në vazhdim, hetime penale për të gjitha ato ngjarje”, thotë marinari Johan-Elias Seljamaa.
Gjatë patrullimit, marina estoneze – së bashku me marinën finlandeze – organizojnë stërvitje të vogla ushtarake. Për këta marinarë me përvojë kjo ofron një stërvitje shtesë, edhe pse ndërkohë përmbushin detyrën më serioze të vëzhgimit të këtyre tubacioneve jetike që lidhin vendet nordike me vendet baltike.