Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se gjatë tri viteve të qeverisjes, Kosova është vendi me borxhin më të ulët publik në Evropë. Nga viti 2019 e deri më tani, Murati deklaroi se janë shtuar vende të reja të punës përmes projekteve dhe thirrjeve të ndryshme të Qeverisë, ndërsa borxhet nga bizneset janë ulur. Ai tha se janë mijëra biznese që në mënyrë të rregullt paguajnë tatim shtetëror.
“Opozita është mësuar që po mbyllen shumë biznese. Thonë se janë dy mijë biznese të mbyllura, ama nuk i përmend 12 mijë biznese të tjera që janë hapur”, tha Murati, sipas të cilit, asnjëherë më parë nuk ka pasur mbështetje të kredive investive, që ka ndihmuar bizneset të rrisin kapacitetet e tyre për investim, më shumë se që kishte në tri vitet e fundit.
“Kemi mbështet bizneset direkt edhe me masa të punësimit. Secili biznes që ka pasë mundësi dhe nevojë, ne si shtet kemi ofruar mbështetjen tonë, duke filluar nga platforma ‘Superpuna’. Kemi pas edhe masa për mbështetjen për punësimin e grave, personave me aftësi të kufizuara e shtresave të margiinalizuara”, deklaroi ai.