Një komision parlamentar në Iran ka miratuar planin për vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, raportoi agjencia e lajmeve Fars, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).
Sipas raportimit, një anëtar i komisionit për sigurinë kombëtare ka konfirmuar miratimin e nismës, e cila parashikon gjithashtu ndalimin e kalimit për anijet amerikane dhe izraelite në këtë korridor strategjik detar, raporton A2CNN.
Plani parashikon që edhe anijet e vendeve që kanë marrë pjesë në vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit të mos lejohen të përdorin ngushticën.
Ndërkohë, agjencia AFP raportoi se sistemi i ri i tarifimit është shpallur edhe në televizionin shtetëror iranian, i cili bëri të ditur se zbatimi do të realizohet në bashkëpunim me Omanin.
Ngushtica e Hormuzit, e vendosur mes Iranit dhe Omanit, është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës bruto globale.
Megjithatë, sipas kompanisë së inteligjencës detare Kpler, që nga fillimi i luftës, trafiku në këtë zonë ka rënë ndjeshëm, me rreth 95%.









