Ministri i Mbrojtjes i Serbisë: Nëse urdhëron Vuçiq, ushtria do të hyjë në Kosovë!

3 minutes, 38 seconds Read

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq tha sot se ushtria serbe nuk ka marrë pjesë në konfliktin e 24 shtatorit në Kosovë dhe se nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, transmeton Kosova Post.

Vuçeviq në konferencë për media tha se ushtria serbe nëse merr urdhër nga presidenti i republikës dhe komandanti i përgjithshëm Aleksandar Vuçiq që njësitë e saj të hyjnë në Kosovë si pjesë e Republikës së Serbisë, do ta kryejë një detyrë të tillë “me efikasitet, profesionalisht dhe me sukses”.

Ai theksoi se nëse kjo ndodh, paraprakisht do të njoftohet komanda e KFOR-it, me respekt absolut të normave të ligjit të luftës.

Vuçeviq theksoi se Serbia do të bëjë gjithçka që të mos ndodhë një skenar i tillë dhe se është e rëndësishme të respektohet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshja Ushtarako-Teknike e Kumanovës e vitit 1999 dhe të zbatohen marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vuçeviq tha se do të ishte e dobishme të sigurohet një prani më e madhe e KFOR-it në Kosovë sepse do të përmirësonte sigurinë e serbëve në Kosovë.

Ai theksoi se bashkëpunimi në mes të ushtrisë serbe dhe KFOR-it bazohet në respektin e ndërsjellë, dhe se deri më tani është zhvilluar në mënyrë korrekte dhe se këto janë fakte të pamohueshme.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka thënë se Millan Radoiçiq, i cili ka pranuar se ka organizuar njerëz që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë të Kosovës, nuk ka marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në Pasuljanske Livade, siç thonë autoritetet në Prishtinë.

Mojsilloviq theksoi se Radoiçiq nuk ka gjuajtur asnjë plumb apo granatë dhe as nuk ka marrë pjesë në aktivistët e lartpërmendura.

Ai tha se Radoiçiq ka qenë i ftuar në stërvitjet ushtarake në vitet e kaluara, por se nuk u është përgjigjur atyre.

Mojsilloviq, duke reaguar ndaj deklaratës së Washingtonit dhe Brukselit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë thellësisht të shqetësuara për “angazhimin e tepruar të Forcave të Armatosura Serbe rreth vijës administrative” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, theksoi se nuk ka pasur rritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura Serbe, “por vetëm një prani dhe angazhim të shtuar i njësive në zonën e sigurisë tokësore”.

Ai deklaroi se pas shpërthimit të krizës më 25 shtator, 8.350 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë u angazhuan jo vetëm për sigurimin e vijës administrative në zonën e sigurisë tokësore, por edhe në formacionet e njësive të Forcave të Armatosura Serbe të dislokuara pranë vijës administrative.

“Nga pikëpamja ushtarake, konsideroj se të gjitha komentet për përmasat e numrit të madh të Forcave të Armatosura Serbe të angazhuara në 10 ditët e fundit janë krejtësisht të panevojshme”, theksoi Mojsilloviq.

Ai kujtoi se kriza të ngjashme të sigurisë ka pasur në dhjetor të vitit 2022 dhe maj të këtij viti dhe tha se në bazë të urdhrit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Forcat e Armatosura të Serbisë ngritën gatishmërinë luftarake në nivelin më të lartë dhe se angazhuan 14 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe në të dyja ngjarjet.

Mojsilloviq tha se askush nuk shprehu shqetësim për ato dy ngjarje, edhe pse ishin 14 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, “prandaj është e habitshme që dikush është thellësisht i shqetësuar për 8.350 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë”.

Ai tha se aktualisht ushtria serbe ka 4.500 pjesëtarë në zonën e sigurisë tokësore, të cilët janë të aftë të monitorojnë dhe sigurojnë dhe të ndikojnë në sigurinë në Serbi.

Mojsilloviq tha se regjimi i punës së njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore për detyrat e sigurimit të vijës administrative me Kosovën është kthyer në normalitet, që nënkupton “status të rregullt numerik të Forcave të Armatosura të Serbisë”./aa

Publikime te ngjashme