Republika e Kosovës përbën një realitet tashmë të pakthyeshëm dhe qëndron si shtet plotësisht sovran, deklaroi prerazi Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gatë seancës solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, ai nënvizoi se Kosova u transformua nga një vend ku liria shtypej egërsisht, në një vatër ku ajo frymon dhe frymëzon.
“Ky përvjetor vërteton se Republika e Kosovës është projekt i palëkundur dhe shtet sovran. Dikur liria këtu vritej, ndërsa sot ajo funksionon si shembull frymëzimi. Kosova moderne është shtet i ri në moshë, por me rrënjë të thella në sakrifica e merita historike. Ajo po marshon sigurt drejt së ardhmes, pa i harruar kurrë themelet mbi të cilat u ngrit”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit shqiptar ndaloi veçanërisht te ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke vlerësuar se ata po përballen me një proces të padrejtë bazuar në akuza të montuara.
“Sot jemi me ata që po zhvillojnë një betejë të vështirë dhe vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës është e pamendueshme pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit me bashkëluftëtarë. Ata që udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot ballafaqohen me akuza të stisura nga Gjykata Speciale, duke na fyer të gjithëve si komb. UÇK-ja dhe çdo luftëtar i lirisë mbeten simbole të përjetshme të atdhedashurisë. Ata janë memoria jonë shtetërore e kombëtare. E vërteta dhe historia nuk mund të tjetërsohen. Liria ka emër dhe meriton drejtësi. Shqipëria është dhe do të mbetet përjetësisht krah UÇK-së dhe qytetarëve të Kosovës”, porositi Begaj./lajmishqip.net
