MEK pretendon për të vrarë, Policia e hedh poshtë – Çfarë po ndodh në Manzë

2 minutes, 8 seconds Read

Që në orët e para të mëngjesit të 20 qershorit, Policia e Shtetit ka kryer kontrolle të imtësishme në kampin e muxhahedinëve të MEK-ut në Manzë të Durrësit.

Kontrollet kanë ardhur me urdhër të SPAK-ut, i cili ka lëshuar edhe urdhërarreste për anëtarët e këtij grupimi.

Disa nga forcat RENEA dhe efektivët janë larguar tashmë nga kampi dhe se iranianët për herë të parë kanë ftuar brenda kampit gazetarët.

Gjatë kontrollit Policia e Shtetit ka hasur në kundërshtimin e muxhahedinëve, të cilët janë munduar të mos e lejojnë Policinë të kryejë punën e saj.

Për këtë arsye është përdorur gazlotsjellës.

Menjëherë pas kësaj, anëtarët e MEK-ut kanë protestuar për këtë vendim të Gjykatës, madje kanë pretenduar se Policia ka lënë një të vrarë dhe disa të plagosur.

Ka qenë një nga muxhahedinët, i cili në media tha se Policia ka përdorur mjete për t’i goditur duke shkaktuar edhe të plagosur.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Shtetit, e cila ka bërë me dije se ka respektuar të drejtat e muxhahedinëve gjatë kontrollit.

“Po zbatojmë me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”, thotë Policia.

Nga burimet e Albanian Post pranë Policisë është konfirmuar se iraniani ka pësuar atak kardiak dhe nuk është vrarë nga forcat e Policisë.

Pritet të ketë edhe një reagim më të detajuar mbi gjetjet e Policisë, apo edhe viktimën e pretenduar.

Ndërkaq, Albanian Post raportoi më herët se kontrolli vjen në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.

Hetimi erdhi vetëm disa ditë pasi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mblodhi Këshillin e Sigurimit, ku i diskutua për sulmet kibernetike.

Sipas tij, sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend.

Kujtojmë se Shqipëria u ndodh vitin e kaluar nën sulme të rënda kibernetike, që prekën edhe sistemin TIMS. Qeveria shqiptare asokohe tha se pas sulmeve fshihet Republika Islamike e Iranit dhe shkëputi marrëdhëniet diplomatike me të.

Po ashtu vlen të theksohet se disa ish-anëtarë të MEK-ut në Shqipëri janë hetuar nga Gjykata me akuzat e terrorizmit.

Publikime te ngjashme