Mediumi i pavarur serb N1 që kundërshton politikat e Vuçiq ka raportuar për “aksionet” e fundit të Ministrave Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi të cilët dje mbyllën zyrat paralele në Dragash që kanë lëshuar dokumente, heqjen e billbordit në afërsi të Zveçanit dhe vendosjen e tabelës me mbishkrimin Republika e Kosovës në Leposaviq.
Lidhur me këtë veprim, Ana Marija Ivkoviq, gazetare e radios Kontakt plus, ka thënë për N1 se këto janë veprime simbolike dhe poshtëruese për serbët që jetojnë atje.
“Më duhet të them se është thjesht vlerësimi i të gjithë neve se tani ka pak hapësirë që Beogradi të reagojë më konkretisht për atë që ndodhi në Banjska më 24 shtator. Në përgjithësi, qytetarët prisnin hapa më konkretë, por nuk i morën. Këtu ka një problem që ka filluar më 26 maj të vitit të kaluar kur kemi pasur incidentet e para të dhunshme në veri, kur policia e Kosovës ka marrë kontrollin e komunave dhe kur praktikisht askush nga Lista Serbe nuk ka qenë në terren, ata kanë qenë në Beograd. në mbledhjen e SNS-së”, tha Ana Marija Ivkoviq.
Tutje ky medium thotë se nga Beogradi nuk ka pasur asnjë reagim përveç dënimit të këtij veprimi.