Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se në orët e para të ditës së sotme, saktësisht në ora 02:00, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka finalizuar procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve të mbërritura me postë nga mërgata.
Në pasqyrën e rezultateve të sapopublikuara, Lëvizja Vetëvendosje dominon bindshëm me 33,556 vota, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 4,611 vota, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 4,259 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 1,801 sosh.
Me këtë hap final, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se ka përfunduar në tërësi numërimi i votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke i hapur rrugë certifikimit të vullnetit qytetar.
“Pas përmbylljes së këtij procesi, KQZ-ja është teknikisht e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare. Megjithatë, konform Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet kanë një afat prej 48 orësh për të deponuar ankesat eventuale në PZAP lidhur me mbarëvajtjen e numërimit në QNR”, nënvizoi Elezi./lajmishqip.net
