Negociatat e drejtpërdrejta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë hyrë në orët e para të ditës së diel në Pakistan. Ky takim maratonë, i zhvilluar në Islamabad, përfaqëson një përpjekje intensive diplomatike për të gjetur një formulë paqeje për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Deri më tani, burimet zyrtare kanë qenë të rezervuara, duke mos ofruar detaje apo rezultate konkrete mbi ecurinë e diskutimeve që po zgjasin prej orësh. Atmosfera mbetet tejet e ngarkuar, ndërsa sytë e diplomacisë botërore janë kthyer nga kryeqyteti pakistanez.
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më “nxehtë” dhe vendimtare e këtyre bisedimeve strategjike. Ndërkohë që diplomatët diskutojnë në tryezë, SHBA-ja ka njoftuar angazhimin e saj aktiv në terren për procesin e deminimit të kësaj rruge kyçe ujore.
Nga ana tjetër, tensionet rajonale vijojnë të sfidojnë procesin e paqes, pasi Izraeli ka vazhduar operacionet ushtarake në Liban. Këto sulme kanë vijuar pavarësisht kërkesës së drejtpërdrejtë të Iranit për ndalimin e tyre, duke komplikuar më tej balancat në tryezën e negociatave./lajmishqip.net
