Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka lëshuar një paralajmërim të fortë kundër “rrëshqitjes drejt një bote pa rregulla”, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Kjo epokë po shënohet nga “shkelja” sistematike e ligjit ndërkombëtar dhe dominimi i ligjit të më të fortit, potencoi kreu i shtetit francez, i cili u shfaq me syze dielli për shkak të një shqetësimi shëndetësor me sytë.
“Jemi padyshim në një periudhë tejet shqetësuese”, deklaroi Macron, duke vënë theksin veçanërisht te politika e jashtme agresive e administratës së presidentit Trump.
Ai nënvizoi se marrëveshjet e fundit tregtare, të arritura nën presionin e tarifave amerikane, “minojnë rëndë interesat tona të eksportit, diktojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur dobësimin e nënshtrimin e Evropës”.
Macron përsëriti qëndrimin e tij se përdorimi i kërcënimeve me tarifa si “mjet presioni ndaj sovranitetit territorial” është tërësisht i papranueshëm. Në këtë linjë, edhe kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky agresion dikton nevojën për solidaritet më të madh brenda kontinentit dhe vetë NATO-s, pasi Rusia synon shkatërrimin e tyre, ndërsa Kina kërkon të sfidojë fuqinë e SHBA-së.
Sipas Kurtit, çdo faktor që asiston në përpjekjet destabilizuese të fqinjëve tanë, prodhon pasoja direkte dhe probleme serioze edhe për ne.
“Rusia mbetet kërcënimi ynë kryesor në këtë drejtim”, ka pohuar Kurti gjatë diskutimeve për sigurinë.
Duke analizuar zhvendosjet e mëdha gjeopolitike, ai shtoi se bota po kalon nëpër turbulenca të paparashikueshme që kërkojnë vigjilencë.
Kurti përfundoi se është i domosdoshëm një bashkëpunim akoma më i ngushtë brenda aleancës së NATO-s, krahas fuqizimit të aleancave rajonale./lajmishqip.net

