Deputeti nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku, duke ironizuar me videon e një gjeneratori që mban fotografinë e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se vendi është duke kaluar një krizë energjetike të paparë.
Duke pyetur se përse ka mbingarkesë, Lushtaku u shpreh:
“E thjeshtë: sepse kjo qeveri ka subvencionuar mbi 15 mijë familje për të kaluar në ngrohje me energji elektrike përmes pompave termike, kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera, duke zëvendësuar ngrohjen tradicionale me dru, pelet, briket dhe thëngjill. Kjo është bërë pa investuar asnjë burim të ri energjetik! Asnjë përmirësim në kapacitetet e KEK-ut të vjetër dhe as ndonjë investim në centrale të reja, si p.sh., mundësia për centralet me gaz amerikan”.
Ai tha se politikat e Kurtit nuk kanë investuar në burime të reja energjetike por vetëm në rritjen e konsumit.
“Nuk ka nevojë për sabotim nga Vuçiqi apo Putini, sepse Kosovën në terr po e fut vetë qeveria e Kurtit. Këto politika të papërgjegjshme janë pasqyrë e një mendësie të paaftë, që po dëmton ekonominë dhe jetën e qytetarëve në mënyrë të pakthyeshme”, shtoi Lushtaku.
Ky është postimi i plotë i tij:
Pse Ka Mungesë dhe Probleme me Energji Elektrike në Kosovë?
Qeveria Kurti vazhdon të deklarojë se nuk ka mungesë të energjisë elektrike, por vetëm mbingarkesë të rrjetit. Por, pse ka mbingarkesë?
E thjeshtë: sepse kjo qeveri ka subvencionuar mbi 15 mijë familje për të kaluar në ngrohje me energji elektrike përmes pompave termike, kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera, duke zëvendësuar ngrohjen tradicionale me dru, pelet, briket dhe thëngjill. Kjo është bërë pa investuar asnjë burim të ri energjetik! Asnjë përmirësim në kapacitetet e KEK-ut të vjetër dhe as ndonjë investim në centrale të reja, si p.sh., mundësia për centralet me gaz amerikan.
Një Krizë Energjetike e Paparë
Albin Kurti është bërë kryeministri i parë në botë që ka shpenzuar dhjetëra milionë euro për të krijuar një krizë energjetike të paparë. Kjo është një dështim i rëndë, i trishtueshëm dhe i pabesueshëm!
Politikat e Kurtit nuk kanë investuar në burime të reja energjetike, por vetëm në rritjen e konsumit. Kjo situatë do të përkeqësohet edhe më shumë gjatë verës, kur gjysmë milioni mërgimtarë të kthehen në Kosovë dhe kondicionerët e subvencionuar nga Kurti e Rizvanolli të mbingarkojnë rrjetin edhe më tej.
Nga Kriza në Kolaps
KEK-u, në kapacitetin maksimal (kur nuk ka probleme teknike), prodhon vetëm 800 megavat energji. Politikat e qeverisë aktuale e kanë rritur konsumin në mbi 1500 megavat! Ky deficit ka futur Kosovën në një krizë të thellë energjetike, një situatë që në çdo shtet normal do të trajtohej nga prokuroria si sabotazh dhe tradhti ndaj interesave kombëtare.
Nuk ka nevojë për sabotim nga Vuçiqi apo Putini, sepse Kosovën në terr po e fut vetë qeveria e Kurtit. Këto politika të papërgjegjshme janë pasqyrë e një mendësie të paaftë, që po dëmton ekonominë dhe jetën e qytetarëve në mënyrë të pakthyeshme.
Ajo që po ndodh sot me energjinë në Kosovë është një alarm për gjithë shoqërinë dhe një akuzë direkte ndaj një qeverie që ka dështuar të menaxhojë interesat jetike të vendit.