Luftime të ashpra shpërthyen të shtunën për kontrollin e disa fshatrave ukrainase pranë kufirit me Rusinë, mes përpjekjesh të ushtrisë ruse për të dëshmuar forcë në rajonin verilindor të Kharkivit.
“Deri tani armiku vazhdon të ushtrojë presion në veri të rajonit tonë. Forcat tona kanë zmbrapsur nëntë sulme“, njoftoi guvernatori i Kharkivit Oleh Syniehubov në një konferencë për shtypin.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kishin marrë pesë fshatra kufitare në rajonin e Kharkivit.
Megjithatë zoti Syniehubov tha se përleshjet po vazhdojnë në të pesë fshatrat që ndodhen brenda një zone rreth pesë kilometra larg kufirit rus.
Ushtria ukrainase tha se ishin dërguar përforcime në rajon për të ndihmuar në stabilizimin e pozicioneve si dhe për të kufizuar përparimin e Rusisë, pas fillimit të një ajo ofensive të re të Moskës të premten.
Zoti Syniehubov tha se autoritetet rajonale kishin evakuuar më shumë se 2,500 persona nga zonat kufitare dhe se ky proces po vazhdon.
Zyrtarët e lartë ukrainas kanë thënë vazhdimisht se nuk besojnë se Rusia ka kapacitetin për kryer një operacion të suksesshëm dhe për të pushtuar qytetin e Kharkiv, ku jetojnë 1.3 milionë banorë.
Në një intervistë të botuar të premten komandanti i forcave tokësore të Ukrainës tha se ai priste që lufta 26-mujore kundër Rusisë të hynte në një fazë kritike në dy muajt e ardhshëm, mes përpjekjesh të Moskës për të shfrytëzuar vonesat në furnizimin me armë të Kievit.
“Rusia e di se nëse marrim armë të mjaftueshme brenda një ose dy muajsh, situata mund të kthehet kundër tyre“, tha gjenerali Oleskander Pavliuk për revistën ‘Economist’.
Furnizimi me armë amerikane u ngadalësua për muaj të tërë ndërsa një paketë ndihme e propozuar nga presidenti Joe Biden u pengua për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongres. Paketa u miratua në fund të muajit të kaluar.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha të premten se Ukrainës i nevojiten “në kohë” furnizimet e ardhshme me armatime të rëndësishme për luftën./VOA