Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, po përgatitet t’i japë një goditje të rëndë një prej produkteve më ikonike të Italisë, duke rritur ndjeshëm tarifat për makaronat. Duke nisur nga janari, tarifës ekzistuese prej 15% pritet t’i shtohet një tjetër prej 91.74%, duke e çuar totalin në gati 107%, një lëvizje që pritet të rrisë ndjeshëm çmimet për konsumatorët amerikanë.
Ky vendim vjen si rezultat i një hetimi nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, i cili akuzon prodhuesit italianë për “damping” – praktikën e shitjes së produkteve në tregun e huaj me çmime artificialisht të ulëta.
Megjithatë, metodologjia e hetimit ka ngritur shqetësime të mëdha. Departamenti i Tregtisë zgjodhi vetëm dy kompani italiane, “La Molisana” dhe “Garofalo”, për një auditim të detajuar të kostove dhe shitjeve të tyre. Më pas, bazuar në gjetjet vetëm për këto dy firma, vendosi të njëjtën normë penalizuese prej 91.74% për të gjithë prodhuesit e tjerë italianë të makaronave.
Në dokumentin zyrtar thuhet se për periudhën 1 korrik 2023 – 30 qershor 2024, “ekzistojnë marzhe mesatare të ponderuara të dampingut” prej 91.74% për të dyja kompanitë e audituara dhe për të gjitha kompanitë e tjera, duke aplikuar një masë gjeneralizuese që po kundërshtohet nga industria italiane./lajmishqip.net