Lirohen nga akuza katër të akuzuarit për fajde

1 minute, 18 seconds Read

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Nexhat Hajredini, Naim Kadriu, Agron Halimi dhe Arben Sheqiri, të cilët akuzoheshin për fajde.

Aktgjykimi ndaj katër të akuzuarve u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të akuzuarit me shënime personale Nexhat Hajredini, Naim Kadriu, Agron Halimi dhe Arben Sheqiri, trupi gjykues konform nenit 363, paragrafi 1 dhe 1.3, lirohen nga akuza për veprën penale fajde”, tha gjykatësi Bahtiri.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Shpenzimet e procedurës penale, bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Ndërsa, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar Artan Shala u udhëzua në kontest civil.

Gjykatësi Bahtiri tha se urdhërohet kthimi i të hollave të akuzuarit Kadriu në shumën prej 2 mijë e 200 euro dhe të akuzuarit Sheqiri në shumën prej 4 mijë e 500 franga, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

“Palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese”, shtoi në fund gjykatësi Bahtiri.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 23 mars 2016. Aty thuhet se Nexhat Hajredini Naim Kadriu, Arben Sheqiri dhe Agron Halimi, i kanë dhënë para me fajde Arton Shalës, i cili kishte deklaruar në gjykatë se njëri i akuzuar i kishte dërguar tre persona për ta rrahur.

Publikime te ngjashme