Komisioni Evropian ka bërë sot një dhuratë të parakohshme për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në samitin digjital që po mbahet në Bruksel (18 dhjetor), është zyrtarizuar vendimi që duke filluar nga data 1 Janar 2026, tarifat “Roaming” mes vendeve të BE-së dhe rajonit tonë (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Serbi, Bosnje) do të eliminohen plotësisht. Kjo do të thotë se modeli “Roam like at home” (Fol si në shtëpi) do të aplikohet për të gjithë.
Deri më tani, ekzistonin pako të reduktuara, por qytetarët ende paguanin tarifa shtesë për internetin kur udhëtonin në Evropë. Me vendimin e ri, një qytetar nga Prishtina apo Tirana që udhëton në Gjermani, Itali apo Zvicër, do të mund të përdorë minutat dhe internetin e paketës së tij vendore pa asnjë kosto shtesë. Kjo masë vlerësohet se do t’u kursejë qytetarëve dhe bizneseve të rajonit dhjetëra miliona euro në vit.
Komisioneri për Zgjerim e cilësoi këtë si “një integrim faktik në tregun e vetëm digjital evropian”, edhe para anëtarësimit politik. Operatorët telefonikë në rajon janë urdhëruar të përditësojnë sistemet e tyre brenda dy javëve të ardhshme për të qenë gati për natën e ndërrimit të viteve. Ky është një lehtësim i jashtëzakonshëm sidomos për diasporën dhe studentët që lëvizin shpesh mes Ballkanit dhe Evropës Perëndimore./lajmishqip.net
