Lajm i madh nga Brukseli: Komiteti i Rajoneve heq përfundimisht fusnotën për Kosovën

2 minutes, 1 second Read

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar zyrtarisht se Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian ka marrë vendimin për të hequr përdorimin e fusnotës te emri i Kosovës. Ky zhvillim tejet i rëndësishëm për subjektivitetin e vendit është konfirmuar edhe nga drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Ky vendim i ri i Komitetit të Rajoneve do të zbatohet në të gjitha dokumentet dhe komunikimet e ardhshme zyrtare. Përmes këtij hapi, ky institucion harmonizon qasjen e tij me atë të Parlamentit Evropian, i cili prej kohësh përdor emërtimin “Kosovë” pa simbolin e asteriskut (*) apo shënimet sqaruese në fund të faqeve.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Në njoftimin e AKK-së bëhet e ditur se Komiteti i Rajoneve (CoR), në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në çdo komunikim publik të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks. Tashmë, institucioni do t’i referohet vendit thjesht si “Kosovë”, duke ndjekur praktikën e dokumenteve zyrtare të Parlamentit Evropian.

Përveç ndryshimit të emërtimit, ky Komitet ka lëshuar edhe një thirrje të qartë për shfuqizimin e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Sipas vlerësimit të tyre, këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në funksionimin e komunave dhe në mirëqenien e qytetarëve kosovarë.

Në argumentimin e tij, Komiteti i Rajoneve ka vlerësuar lart organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Dokumenti thekson se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në procese demokratike ka forcuar legjitimitetin institucional, prandaj nuk ekziston më asnjë arsye valide që masat e BE-së të mos hiqen plotësisht.

Sazan Ibrahimi, drejtori i AKK-së, e ka cilësuar këtë kthesë si një lajm me peshë të madhe për vendin. Ai u shpreh i inkurajuar nga faktit që institucionet evropiane po njohin peshën e pushtetit lokal dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që vendimet e tyre kanë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Sipas Ibrahimit, vendimi për unifikimin e emrit të Kosovës pa fusnotë në nivel institucional evropian është një zhvillim domethënës. Ky akt dëshmon një njohje të re për progresin e Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes niveleve lokale dhe strukturave të Bashkimit Evropian./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme