Lajçak porosit Kurtin e Vuçiqin: “Do të doja sa më pak deklarata për Asociacionin”

1 minute, 24 seconds Read

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për çështjen e marrëveshjes evropiane, të zotuar për respektim nga pala kosovare dhe ajo serbe.

Lajçak, për mediumin ‘Atlantic Council’ është ndalur tek pika e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku u ka bërë thirrje palëve që të rrallojnë deklaratat për të.

“Themelimi i Asociacionit është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit që është arritur nga Kosova dhe Serbia dhe është ratifikuar nga pala kosovare, që do të thotë se është obligim ndërkombëtar. Ishte diçka që ishte aty për gati 10 vjet. Ne vazhdojmë të përsërisim se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen nga të dyja palët. Do të doja të shihja më pak diskutime për këtë [Asociacionin] dhe të flitej për kornizën e dialogut”, ka deklaruar Lajçak.

Emisari evropian ka bërë të ditur se në takim iu është kërkuar palës kosovare dhe asaj serbe të mos japin deklarime publike, me kushtin që të ketë atmosferë të mirë deri më 18 mars, kur pritet të mbahet takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut për finalizimin e planit evropian.

I njëjti ka komentuar edhe propozimin e Kurtit për nënshkrimin e marrëveshjes përgjatë së hënës.

“Kryeministri Kurti propozoi që dokumenti të zyrtarizohet me nënshkrim, reagimi ynë ishte se do të ishte veprim i parakohshëm. Pa marrëveshjen e zbatimit, do të mbetej vetëm deklaratë politike dhe jo marrëveshje. Prandaj ne thamë “të presim dhe të nënshkruajmë kur të kemi mirëkuptim të plotë””.

Publikime te ngjashme