Rastet e mashtrimeve me qëllim përfitimin e qindra mijëra eurove në formë të kundërligjshme janë rritur me të madhe në Kosovë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur për dy muaj me radhë në një pompë të derivateve në Hajvali të Prishtinës, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Hetimi tashmë është iniciuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe një person ka përfunduar në pranga të Policisë.
Sinjali ka mësuar se mashtrimi është zbuluar në kompaninë “Alba Petrol” në Hajvali dhe është denoncuar nga menaxheri i kësaj pike.
Gjithashtu, Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Albatrit Morina i moshës 37 vjeçare.
I dyshuari ka mashtruar që nga muaji maj deri së fundmi kur është zbuluar nga kompania dhe rasti u raportua në Polici.
Si rezultat i denoncimit, është arritur që të arrestohet i dyshuari dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali