Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, tha se një sulm tjetër serb në Kosovë është i mundshëm dhe shtoi se vazhdimisht po dalin fakte për synimet destabilizuese të Serbisë.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se ka dalë një video-incizim i një diskutimi në mes të Milan Radoiçiqit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku flitej se ata janë të gatshëm t’i shkojnë në fund çështjes së Kosovës, edhe me mundësinë e një sulmi tjetër si ai i Banjskës.
Kusari tha se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ka edhe një video-incizim që tregon kriminelin në arrati Milan Radoiçiq, i cili në prani të Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe, deklaron se ata janë të gatshëm dhe të përgatitur të shkojnë deri në fund, me riaktivizim të një sulmi të njëjtë si ai i 24 shtatorit, duke mos kursyer as jetët e tyre”.
Ajo tha se një sulm tjetër serb në Kosovë është i mundshëm dhe shtoi se vazhdimisht po dalin fakte për synimet destabilizuese të Serbisë.
“Kur në vazhdimësi dalin fakte për synimet e Serbisë për destabilizim, tregon se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë edhe ndonjë episod të ngjashëm si ai i 24 shtatorit. Ka 48 baza ushtarake të Serbisë të vendosura në kufirin me Kosovën”, tha Kusari për Euronews.al.